مسلمون حول العالم
نافذتك إلى أخبار الأقليات المسلمة

MYFTIU I SHKUPIT: KEMI RRETH 5000 NXËNËS QË E NDJEKIN MËSIMBESIMIN ISLAM NËPËR MEKTEBET E XHAMIVE

Intervistë me: Shejh Dr. Qenan Ismaili, Myfti i Shkupit Ekskluzive (Muslimanët në mbarë botën)

MYFTIU I SHKUPIT: KEMI RRETH 5000 NXËNËS QË E NDJEKIN MËSIMBESIMIN ISLAM NËPËR MEKTEBET E XHAMIVE

Intervistë me: Shejh Dr. Qenan Ismaili, Myfti i Shkupit

Ekskluzive (Muslimanët në mbarë botën) (مسلمون حول العالم)

Intervistë: Hany Salah

Shejh Dr. Qenan Ismaili, Myftiu i Shkupit, kryeqytetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, tha se janë “5000 fëmijë që mësojnë leximin e drejtë të Kur’anit të Shenjtë dhe bazat e fesë islame në xhamitë e Shkupit dhe rrethinës”.

Kjo u shpalos në një intervistë ekskluzive për “Muslimanët në mbarë botën”, për aktivitetet e Myftinisë së kryeqytetit – Shkup të da’ves dhe edukimin.

Ndiqni intervistën…

Boshti i parë: Mysafiri i intervistës

Shejh Dr. Qenan Ismaili, mes rreshtave.

Një nga bijt e Shkupit, që lindi më 17 nëntor 1977 dhe përfundoi studimet fillore në shkollat e Shkupit qytetit më të lashtë me një histori të ndritur islame për më shumë se gjashtë shekuj dhe një nga qytetet më të rëndësishme islame në Ballkanin Perëndimor.

Shkollën e mesme Medresenë “Isa Beu” – Shkup, në kuadër të Bashkësisë fetare islame e kreu në vitin 1996 dhe u zgjodh nxënës i gjeneratës. Në të njëjtën shkollë dha kontribut të veçantë në revistën “Ikre” që botohej nga shoqata e nxënësve të shkollës.

Studimet e larta i kreu në Fakultetin e shkencave islame në Universitetin “Uludağ”, në qytetin Bursa të Turqis, në vitin 2002, aktiv në shumë sfera përgjatë studimeve.

Në vitin 2016 magjistroi në drejtimin Menaxhim me resurse njerëzore pranë Universitetit për Turizëm dhe Menaxhment.

Në vitin 2019 mbaroi temën e doktoraturës në Universitetin Ndërkombëtarë të Novi Pazarit në rajonin e Sanxhakut në jug të Serbisë me temë “Aplikimi i metodave dhe mjeteve bashkëkohore të mësimdhënies në funksion të mësimit më cilësorë në mektebe”, dhe morri titullin doktor i shkencave në studimet e pedagogjisë islame.

Punoi si mualim dhe hatib në Xhaminë En-Nur në Shkup, prezantoi qindra episode radiofonike, shkroi shumë libra, kompozoi shumë poezi dhe ilahi të kënduara nga shumë artistë në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Boshti i dytë: Shkupi kryeqytet

Shkupi është një qytet historik. Prania e islamit në të ka rrënjë të thella, a mund të na jepni një përmbledhje të shkurtër.

Shkupi është një qytet i lashtë me peshë në historinë islame të rajonit të Balkanit perëndimor, që me depërtimin e islamit në shekullin e XIV gjatë periudhës së Perandorisë Osmane pjesa dërmuese e shqiptarëve vullnetarisht pranuan islamin.

Gjatë historisë, për shkak të arsyeve të ndryshme politike apo ekonomike, herë ka pasur shpërngulje masive për në Turqi e herë për në Evropë.

Pas shpërbërjes së Jugoslavisë dhe sistemit monist, krahas sfidave të reja me të cilat ballafaqoheshte islami, tani islami frymon më lirshëm se më parë.

Me regjistrimin e fundit të popullsisë muslimanët përbëjnë afërsisht 32.17 % ndërsa ortodoksët reth 46.13% nga numri i përgjithshëm i banorëve të Shkupit.

Maqedonia e Veriut përbëhet nga dy etni kryesore, shqiptarët dhe maqedonasit.

Cili është modeli i bashkëjetesës mes tyre, sidomos në aspektin e të drejtave në përgjithësi.

Ndër shekuj të gjitha etnitë në Maqedoninë e Veriut kanë jetuar bashkë, maqedonasit, shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët, serbët dhe vllehët.

Si dy etni kryesore maqedonasit ortodoks dhe shqiptarët musliman kanë jetuar një periudhë të vështirë si rezultat i rritjes së ndjenjave armiqësore nacionale kah fundi i shekullit të kaluar. Kjo solli edhe konfliktin e armatosur ndërmjet tyre të vitit 2001, por sot bashkëjetohet dhe bashkëveprohet në paqë të gjitha sferat.

Shqiptarët musliman në Maqedoninë e Veriut sot gëzojnë të drejtën e arsimit në të gjitha nivelet në gjuhën shqipe (amtare), të drejtën e punës dhe marrjes së pozicioneve të ndryshme në vend.

Vlen të përmendet se në Maqedoninë e Veriut për dallim nga disa vende në rajon, femra muslimane posedon të drejtën e mbulesës islame në dokumentat e identifikimit dhe në vendin e punës.

Boshti i tretë: Gjurmët dhe prioritetet

Si Myfti i shkupit, cilat janë prioritetet në fushën e da’ves dhe arsimit?

Puna e jonë përqëndrohet në më shumë fusha që për ne paraqesin prioritet të lartë:

Kujdesemi për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive, ku shteti në asnjë mënyrë nuk na ofron përkrahje.

Poashtu në kulmin e prioriteteve tona është edukimi islam i fëmijëve. Këtë rol të madh e kryejnë mektebet e xhamive. Xhamitë e Maqedonisë realizojnë shumë aktivitete dhe ceremoni fetare të organizuara nga këta fëmijë nën mbikëqyrjen e mualimëve të tyre. Ndërsa për të rriturit fokusi është te ligjëratat fetare publike në xhami.

Ne jemi gjithashtu të prirur të komunikojmë me media të ndryshme për të folur për bazat e Islamit, vizionin dhe pozicionin e tij për çështjet bashkëkohore.

– Padyshim që ne vazhdimisht dhe në kontinuitet e përcjellim çështjen e vakëfeve islame që janë konfiskuar në kohën e komunizmit dhe përcjellim të gjitha rrugët ligjore për t’i rikthyer ato dhe përpiqemi t’i tejkalojmë vështirësitë e shumta me të cilat përballemi në këtë drejtim.

Së fundi, qëllimi ynë i përgjithshëm është të zhvillojmë jetën islame në komunitetin tonë lokal.

Boshti i katërt: Xhamitë dhe imamët

– Në përgjithësi, a është i mjaftueshëm numri i imamëve dhe xhamive në Shkup për të përmbushur rolin e kërkuar ndaj myslimanëve të kryeqytetit?

Aktualisht në kryeqytetin Shkupi dhe rrethinën e tij ka 158 xhami, prej të cilave 140 janë të hapura dhe zhvillohen aktivitete.

Krahas hytbes së xhumasë, e cila ruajti frymën islame dhe zakonet e traditat shqiptare, xhamitë zhvillojnë shumë aktivitete humanitare dhe kulturore.

Nëse e kemi parasysh numrin mesatar të myslimanëve në Shkup, dhe numrin e xhamive në to, konstatojmë se ato janë të mjaftueshme, dhe numri i përgjegjësve për këto xhami është i mjaftueshëm edhe për kryerjen e detyrave fetare.

Por në zonat me shumicë ortodokse maqedonase, ndjejmë se ka nevojë për më shumë xhami, por ka vështirësi në ndërtimin e xhamive në këto zona.

Megjithatë, mundohemi të komunikojmë me administratat lokale që të sigurojmë vende të përshtatshme për myslimanët që përfaqësojnë pakicë në këto zona, por numri i tyre është disi i madh, për të siguruar vende të përshtatshme për kryerjen e obligimeve islame.

Po vakëfet islame? Dhe përpjekjet për t’i rikthyer ato?

Vakëfet janë burimi i vetëm në të cilin mund të mbështetemi në mbarëvajtjen e jetës fetare si institucione ,legjislaturë dhe shpenzimet për të. Fatkeqësisht, në kohën e komunizmit, të gjitha vakëfet u konfiskuan.

Dhe ndonëse tani ka ligje që konfirmojnë të drejtën tonë për t’i rikthyer, megjithatë, procedurat janë shumë të vështira dhe kjo zvogëlon mundësinë e rikthimit. Pavarësisht këtyre vështirësive, përpjekjet tona vazhdojnë dhe ne nuk do të ndalemi së kërkuari për të rivendosur të drejtat tona historike.

– Xhamitë e Shkupit zhvillojnë shumë aktivitete edukative, a mund të hidhni dritë mbi këto përpjekje?

Ndër programet më të rëndësishme të mbikëqyrura nga Myftinia e Shkupit, janë kurset për mësimin e leximit të saktë të Kuranit të Shenjtë dhe bazat e Islamit për fëmijët në xhamitë e Shkupit. Të gjitha këto I publikojmë edhe në rrjetet sociale.

Së bashku me mualimët dhe mualimet kemi programe trajnimi dhe punëtori në baza të përhershme dhe të vazhdueshme me synim arritjen e nivelit profesional të mësimdhënies në mektebet e xhamive. Programet mësimore për fëmijë studiohen dhe diskutohen në broshurat, të cilat janë përgatitur në disa gjuhë, të përshtatshme për të gjitha etnitë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë kryeqytetin, Shkupin dhe në gjuhën e mualimëve dhe nxënësve të grupeve në këto xhami.

Vlen të theksohet se aktualisht në mektebet e xhamive të kryeqytetit, Shkup, kemi rreth 5000 djem dhe vajza që mësojnë leximin e saktë të Kur’anit Famëlartë dhe njohuritë bazë për Islamin.

Gjithashtu kemi një Institut për mësimin përmendësh të Kur’anit Fisnik për djem dhe planifikojmë që në një të ardhme të afërt të hapim edhe një institut tjetër për vajza, me qëllim të diplomimit të memorizuesve të Librit të Allahut xh.sh.

Boshti i pestë: Pengesat dhe sfidat

Cilat janë pengesat kryesore me të cilat përballeni në punën tuaj të da’ves dhe atë arsimore në Shkup?

Çdo periudhë kohore ka sfidat e veta, nëse më herët ka qenë sfidë liria e shprehjes dhe ligjërimit islam në xhami, sot Myftinia e Shkupit ballafaqohet me dy sfida që mendojmë se janë më të theksuara.

E para është rënia e interesit te gjeneratat e reja për të kryer shkollë fetare, me këtë edhe paraqitet mundësia e zbraztirave në kryerjen e detyrës së imamit pas largimit të gjeneratave të vjetra. Madje nëse disa edhe kryejnë të njëjtën shkollë neglizhojnë angazhimin si imam xhamie duke i ikur ballafaqimit me kërkesat e xhematit.

E dyta është mospërkrahja në aspektin material e mbarëvajtjes së xhamive dhe jetës fetare nga institucionet shtetërore. Kjo barrë sa e shenjtë poaq edhe e rëndë si ndërtimi i xhamive, mbarëvajtja, pagesat e faturave të shërbimeve si rryma, uji e nxemja, pagesa e rrogës së imamit, hatibit e mualimit dhe të gjitha harxhimet tjera bien mbi supet e xhematit dhe Myftinisë së Shkupit.

Boshti i gjashtë: Arritjet dhe sukseset

Cilat janë arritjet dhe sukseset më të spikatura të arritura deri më tani në Shkup në aspektin e aktiviteteve dhe projekteve të da’ves dhe ato edukative/arsimore?

Brenda kësaj periudhe pesëvjeçare kemi arritur të krijojmë një sistem të shëndoshë të funksionimit, të udhëhequr nga sekretariati në Myftininë e kryeqytetit në mënyrë që punët kryhen në mënyrë institucionale dhe të mos varet nga një apo më shumë persona, por puna bëhet në mënyrë profesionale, për shembull:

Në nivel të mektebeve të xhamive të kryeqytetit:

Kemi krijuar regjistër të posaçëm për çdo xhami ku evidentohet saktësisht në librat amë numri i nxënësve që diplomojnë në mektebe, nga ana tjetër, është një tjetër regjistër në të cilin shënohet numri i imamëve dhe mualimëve të vdekurve në mënyrë që mos të mbetet shprastirë në të ardhmen nëpër xhamitë dhe mektebet e xhamive pa zëvendësim që do të kryejnë punën e imamit dhe mualimit.

Në nivel të myftinisë të kryeqytetit Shkup:

Jemi mbështetur në specializimin dhe planifikimin e punës me vlerësim të vazhdueshëm dhe zhvillim; Prandaj, të gjitha aktivitetet tona kryhen sipas planit të hartuar dhe miratuar nga Këshilli i Myftinisë së Kryeqytetit, përmes këtyre departamenteve, ku secili prej tyre ka planin e vet të shkruar: (Departamenti i Arsimit Fetar – Departamenti i Vakëfeve – Departamenti i Mediave – Departamenti i Kulturës dhe Publikimeve – Departamenti i Financave – Departamenti i Çështjeve Ligjore – Departamenti i Grave).

Përveç këtyre departamenteve, ekzistojnë edhe komisione të tjera të specializuara, siç janë: (Komisioni për Çështje Fetare – Komisioni për hifz për meshkuj – Komisioni për hifz për femra). Siç e përmenda, ekzistojnë rregullore të shkruara operative për të gjitha departamentet dhe komisionet.

Boshti i shtatë: Rekomandimet për të ardhmen

Po në lidhje me vizionin tuaj të ardhshëm për zhvillimin e punës së da’ves dhe atë arsimore në Shkup?

Vizioni ynë për të ardhmen është bindja jonë e plotë se ne, të bashkuar në bashkëpunim dhe punë të përbashkët me të gjithë imamët nën ombrelën e Myftinisë së Shkupit, jemi bërë dhe do të jemi gjithmonë model për mënyrën se si funksionon institucioni fetar në vendin tonë.

Së fundi… Dëshironi t’u dërgoni ndonjë mesazh institucioneve islame që kanë të bëjnë me da’ven dhe edukimin islam në mbarë botën (nëpërmjet faqes së internetit Myslimanët Rreth botës)?

Mesazhi ynë! Ndoshta përfaqësojmë një numër shumë të vogël në krahasim me numrin e muslimanëve në botë, por me ndihmën e Allahut të Madhëruar shpresojmë të jemi një pikë uji e begatshme në detin e madh të Islamit në këtë botë.

 

التخطي إلى شريط الأدوات